Albanian Bible

Jobi 8

Jobi

Return to Index

Chapter 9

1

  Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 

2

  "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë? 

3

  Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t`i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë. 

4

  Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë? 

5

  Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij. 

6

  Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen. 

7

  Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet. 

8

  I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit. 

9

  Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut. 

10

  Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta. 

11

  Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj. 

12

  Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t`ia rimarrë? Kush mund t`i thotë: "Çfarë po bën?". 

13

  Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit. 

14

  Si mund t`i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të? 

15

  Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t`i përgjigjem, por do t`i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim. 

16

  Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim, 

17

  ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak. 

18

  Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime. 

19

  Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t`u paraqitur? 

20

  Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur. 

21

  Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time. 

22

  Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin". 

23

  Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve. 

24

  Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra? 

25

  Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë. 

26

  Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet. 

27

  Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar", 

28

  më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm. 

29

  Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot? 

30

  Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë, 

31

  ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri. 

32

  Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t`i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë. 

33

  Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy. 

34

  Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë. 

35

  Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time. 

Jobi 10

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: