Albanian Bible

Jobi 7

Jobi

Return to Index

Chapter 8

1

  Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha: 

2

  "Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme? 

3

  A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë? 

4

  Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre. 

5

  Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit, 

6

  në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate. 

7

  Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël, 

8

  e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre; 

9

  ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije. 

10

  A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre? 

11

  A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë? 

12

  Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër. 

13

  Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet. 

14

  Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange. 

15

  Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban. 

16

  Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij; 

17

  dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë. 

18

  Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!". 

19

  Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri. 

20

  Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit. 

21

  Ai do t`i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua. 

22

  Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket". 

Jobi 9

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: