| Chapter 14 |
1 | ``Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! |
2 | Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t`ju thoja. Unë po shkoj t`ju përgatis një vend. |
3 | Dhe kur të shkoj e t`ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t`ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. |
4 | Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën``. |
5 | Thomai i tha: ``Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?`` |
6 | Jezusi i tha: ``Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. |
7 | Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë``. |
8 | Filipi i tha: ``Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton``. |
9 | Jezusi i tha: ``Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?". |
10 | A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat. |
11 | Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave. |
12 | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati. |
13 | Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. |
14 | Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj``. |
15 | ``Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. |
16 | Dhe unë do t`i lutem Atit dhe ai do t`ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, |
17 | Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju. |
18 | Nuk do t`ju lë bonjakë, do të kthehem te ju. |
19 | Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni. |
20 | Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju. |
21 | Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t`i dëftehem atij``. |
22 | Juda, jo Iskarioti, i tha: ``Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?``. |
23 | Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. |
24 | Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar. |
25 | Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju; |
26 | por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t`ju mësojë çdo gjë dhe do t`ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë. |
27 | Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë. |
28 | Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë. |
29 | Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni. |
30 | Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua; |
31 | por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!``. |