Albanian Bible

Luka 24

Gjoni

Return to Index

Chapter 1

1

  Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. 

2

  Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. 

3

  Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. 

4

  Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. 

5

  Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi. 

6

  Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon. 

7

  Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij; 

8

  ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën. 

9

  Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë. 

10

  Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. 

11

  Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, 

12

  por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, 

13

  të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia. 

14

  Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. 

15

  Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ``Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje"``. 

16

  Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. 

17

  Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. 

18

  Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et, është ai që e ka bërë të njohur. 

19

  Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: ``Kush je ti?``. 

20

  Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: ``Unë nuk jam Krishti``. 

21

  Atëherë ata e pyetën: ``Kush je, pra? A je Elia?``. Ai tha: ``Nuk jam!``. ``Je ti profeti?``. Dhe ai përgjigjej: ``Jo!``. 

22

  Atëherë ata i thanë: ``Kush je ti, që t`u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç`thua për veten tënde?``. 

23

  Ai u përgjigj: ``Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia``. 

24

  Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë; 

25

  ata e pyetën dhe i thanë: ``Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?``. 

26

  Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ``Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni. 

27

  Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t`ia zgjidh lidhësen e sandaleve``. 

28

  Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte. 

29

  Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ``Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! 

30

  Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!". 

31

  Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t`i zbulohet Izraelit``. 

32

  Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ``E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të. 

33

  Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë". 

34

  Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë``. 

35

  Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet. 

36

  Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ``Ja Qengji i Perëndisë!``. 

37

  Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin. 

38

  Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: ``Ç`kërkoni?``. Ata i thanë: ``Rabbi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?``. 

39

  Ai iu përgjigj atyre: ``Ejani e shikoni``. Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë. 

40

  Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin. 

41

  Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: ``E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"``; 

42

  dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: ``Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur"``. 

43

  Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: ``Ndiqmë!``. 

44

  Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit. 

45

  Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: ``E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!``. 

46

  Dhe Natanaeli i tha: ``A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?``. Filipi i tha: ``Eja e shih!``. 

47

  Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: ``Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s`ka mashtrim``. 

48

  Natanaeli i tha: ``Nga më njeh?``. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi``. 

49

  Natanaeli duke iu përgjigjur tha: ``Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!``. 

50

  Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!``. 

51

  Pastaj i tha: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut``. 

Gjoni 2

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: