| Chapter 8 |
1 | Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët, |
2 | dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë, |
3 | Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre. |
4 | Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë: |
5 | ``Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. |
6 | Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage. |
7 | Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën. |
8 | Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish``. Si i tha këto gjëra, thirri: ``Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!``. |
9 | Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë. |
10 | Dhe ai tha: ``Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë. |
11 | Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë. |
12 | Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. |
13 | Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen. |
14 | Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen. |
15 | Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri``. |
16 | ``Askush, pasi të ketë ndezur llambën, nuk e mbulon me një enë ose e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që ata që hyjnë të shohin dritë. |
17 | Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë. |
18 | Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t`i jepet, kurse atij që nuk ka, do t`i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka``. |
19 | Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t`i afroheshin për shkak të turmës. |
20 | Dhe nga disa i ishte thënë: ``Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin``. |
21 | Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ``Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë``. |
22 | Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: ``Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit``. Dhe ata u larguan nga bregu. |
23 | Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik. |
24 | Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: ``Mësues, Mësues, po mbytemi!``. Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë. |
25 | Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: ``Ku është besimi juaj?``. Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: ``Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?``. |
26 | Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë; |
27 | dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza. |
28 | Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ``Ç`ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!``. |
29 | Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat. |
30 | Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ``Si e ke emrin?``. Dhe ai u përgjigj: ``Legjion``. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të. |
31 | Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. |
32 | Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t`i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre. |
33 | Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt. |
34 | Kur panë ç`ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra. |
35 | Atëherë njerëzit dolën për të parë ç`kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë. |
36 | Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari. |
37 | Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa. |
38 | Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë: |
39 | ``Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty``. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të. |
40 | Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin. |
41 | Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, |
42 | sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij. |
43 | Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri, |
44 | iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut. |
45 | Dhe Jezusi tha: ``Kush më preku?``. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ``Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?"``. |
46 | Por Jezusi tha: ``Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje``. |
47 | Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast. |
48 | Dhe ai i tha: ``Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!``. |
49 | Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: ``Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin``. |
50 | Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: ``Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë``. |
51 | Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës. |
52 | Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: ``Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle``. |
53 | Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur. |
54 | Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: ``Vajzë, çohu!``. |
55 | Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t`i jepnin të hante. |
56 | Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç`kishte ndodhur. |