| Chapter 9 |
1 | Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet. |
2 | Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: ``Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!`` |
3 | Atëherë disa skribë thanë me vete: ``Ky po blasfemon!``. |
4 | Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: ``Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja? |
5 | Në fakt, ç`është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur", apo: "Çohu dhe ec"? |
6 | Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde``. |
7 | Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet. |
8 | Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve. |
9 | Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: ``Ndiqmë!``. Dhe ai u çua dhe e ndoqi. |
10 | Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij. |
11 | Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: ``Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?``. |
12 | Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: ``Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. |
13 | Tani shkoni dhe mësoni ç`do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët``. |
14 | Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: ``Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?``. |
15 | Dhe Jezusi u tha atyre: ``A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndërri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t`ua marrin dhëndërrin dhe atëherë ata do të agjërojnë. |
16 | Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe. |
17 | Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy``. |
18 | Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ``Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë``. |
19 | Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij. |
20 | Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij. |
21 | Sepse thoshte me vete: ``Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem``. |
22 | Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ``Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar``. Dhe që në atë çast gruaja u shërua. |
23 | Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte, |
24 | u tha atyre: ``Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle``. Dhe ata e përqeshnin. |
25 | Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit. |
26 | Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend. |
27 | Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: ``Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!``. |
28 | Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: ``A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?``. Ata iu përgjigjën: ``Po, o Zot``. |
29 | Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: ``U bëftë sipas besimit tuaj``. |
30 | Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: ``Ruhuni se mos e merr vesh njeri``. |
31 | Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend. |
32 | Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar. |
33 | Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: ``Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael``. |
34 | Por farisenjtë thonin: ``Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!``. |
35 | Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull. |
36 | Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari. |
37 | Atëherë ai u tha dishepujve të vet: ``E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. |
38 | Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij``. |