| Chapter 8 |
1 | A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet? |
2 | Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve; |
3 | bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve; |
4 | "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut. |
5 | Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë. |
6 | Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. |
7 | Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia. |
8 | Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur. |
9 | Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen. |
10 | Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur, |
11 | sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të. |
12 | Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim. |
13 | Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur. |
14 | Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca. |
15 | Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë. |
16 | Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës. |
17 | Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë. |
18 | Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia. |
19 | Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur. |
20 | Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë, |
21 | për t`i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre. |
22 | Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta. |
23 | U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte. |
24 | Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm. |
25 | Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave, |
26 | kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut. |
27 | Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës, |
28 | kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës, |
29 | kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut, |
30 | unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij; |
31 | kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve. |
32 | Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! |
33 | Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë! |
34 | Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia. |
35 | Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit. |
36 | Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen". |