Albanian Bible

Psalmet 104

Psalmet

Return to Index

Chapter 105

1

  Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. 

2

  Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij. 

3

  Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin. 

4

  Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. 

5

  Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij, 

6

  ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij. 

7

  Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën. 

8

  Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij, 

9

  besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut, 

10

  që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, 

11

  duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj", 

12

  kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend, 

13

  dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër. 

14

  Ai nuk lejoi që t`i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre, 

15

  dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi". 

16

  Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh. 

17

  Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. 

18

  I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri. 

19

  Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë. 

20

  Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin, 

21

  dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij, 

22

  për t`i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t`u mësuar pleqve të tij diturinë. 

23

  Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit. 

24

  Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij. 

25

  Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij. 

26

  Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur. 

27

  Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit. 

28

  Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij. 

29

  I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij. 

30

  Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre. 

31

  Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre. 

32

  U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre; 

33

  goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre. 

34

  Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh, 

35

  që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre. 

36

  Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre; 

37

  dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej. 

38

  Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta. 

39

  Ai shpalosi një re për t`i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t`i ndriçuar natën. 

40

  Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit. 

41

  Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë. 

42

  Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij; 

43

  pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi, 

44

  dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve, 

45

  me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t`u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja. 

Psalmet 106

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: