Albanian Bible

Eksodi 39

Eksodi

Return to Index

Chapter 40

1

  Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë: 

2

  "Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes. 

3

  Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel. 

4

  Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij. 

5

  Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit. 

6

  Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes. 

7

  Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të. 

8

  Do t`i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit. 

9

  Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë. 

10

  Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë. 

11

  Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh. 

12

  Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t`i lash me ujë. 

13

  Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift. 

14

  Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t`i veshësh me tunika, 

15

  do t`i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t`u japë priftëri përjetë, brez pas brezi". 

16

  Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar. 

17

  Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli. 

18

  Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij. 

19

  Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 

20

  Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë; 

21

  e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 

22

  Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit. 

23

  Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 

24

  Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit; 

25

  dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 

26

  Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit, 

27

  dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 

28

  Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit. 

29

  Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 

30

  Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t`u larë. 

31

  Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët; 

32

  kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 

33

  Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij. 

34

  Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin. 

35

  Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin. 

36

  Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin; 

37

  por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej. 

38

  Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.? 

Levitiku 1

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: